”Dëmshpërblimi nuk na i shëron plagët e djalit që na vranë” (Video)

      Comments Off on ”Dëmshpërblimi nuk na i shëron plagët e djalit që na vranë” (Video)

Kjo është nëna Zejnepe, nëna e Rami Jusufit të vrarë në masakrën e Lubotenit. 74 vjeçare, por ende e fortë, me memorie të kthjellët dhe fjalë të sakta

“Kur jam e gjallë, mjaft jam e gjallë…Vetëm mendjen ma ka ruajtur Zoti se edhe mendja kishte mundur të më ikë. Nuk e disha të tjerët a janë gjallë ose jo..”

Ia kishin vrarë të birin para syve, dhe nuk kishte pasur as mundësinë më të vogël që t’i ndihmojë….

”Ushtria na hyri brenda. Njëherë e kallën derën e madhe me granatë, e rrëzuan në tokë. Pastaj erdhën hynë brenda. Djali doli në derë të shohë se çfarë po ndodhë e ata e vranë. Ai mbeti ashtu më. Ku të kërkojmë ndihmë, plaki ishte në karrocë”

Nëna e Rami Jusufit kujton se as nuk kishin mundur ta varrosin në mënyrë të denjë shkaku i okupimit të forcave policore. Pas tre javësh qëndrim në një varr të përkohshëm në një kopsht, atë e kishin dërguar në varreza.

”Djalin pastaj e dërguam tek vajza ime. Natën pa rrymë pa asgjë. Natën skishim ku ta çojmë, kështu që në mëngjes e varrosëm në bahçe. Nuk lishin ta dërgojnë te varrezat për shkak të krismave. Tre jave qëndroi tek kopshtet dhe pastaj e varrosëm tek varrezat”

Ajo i kishte parë disa ditë më herët Johan Tarçullovskin dhe Lube Boshkovsin teksa kishin lëvizur nëpër fshat, por asnjëherë nuk ia kishte marrë mendja se do ta pësojnë në këtë mënyrë.

”Ju kisha thënë se edhe ju përjetofshit këto…Edhe ju jeni të humbur sikur djali im që ka humbur. Asgjë më tepër sju kisha thënë. Tarçullovski edhe ai Boshkovski rrinin këtu karshi dy ditë më herët i kemi parë. Por ja…të pabesë, pabesë”

Shkaku se shtëpia e tyre ishte e pozicinuar shumë më lartë se shtëpitë e tjera të Lubotenit, forcat e sigurisë, siç rrëfen lokja 74-vjeçare, kanë qëndruan mbi çatinë e shtëpisë së tyre dhe prej aty kanë shtënë me armatim të ndryshëm drejt shtëpive.

Por rrënojat përreth shtëpisë nuk e mundonin nënën Zejnepe. Ajo dertin e vetëm pas vrasjes së djalit e kishte si të rrisë katër jetimë, mosha më e madhe e të cilëve ishte vetëm dhjetë vjeç.

“Shumë vështirë… Vetëm unë e di edhe Zoti se si i kemi duruar këto. Nusja, nëntë vjetë nuse të ndahet nga shoqëria e nga të gjithë…Ata kur thërritshin babë ende më shumë më mërzitshin..”

Kohë pas kohë lokja vjen të qëndrojë për disa ditë në shtëpinë e vjetër në Luboten, edhe pse tashmë disa vite me radhë nuk jeton aty. Me nusen dhe nipat qëndrojnë në tjetër shtëpi me qira. E vetmja arsye përse vjen në Luboten për të qëndruar edhe pse në shtëpi nuk ka as energji elektrike e as ujë, është që ta mbajë gjallë kujtimin për djalin e vrarë. /SHENJA/

loading…


loading…


loading…