Lidhja Arabe: Vendimi i Trumpit është i pavlefshëm

      Comments Off on Lidhja Arabe: Vendimi i Trumpit është i pavlefshëm

Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit të jashtëzakonshëm për Kudsin, të zhvilluar në Kajro të Egjiptit nga ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe, theksohet se vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për njohjen e Kudsit si “kryeqytet të Izraelit” është i “pavlefshëm” dhe gjithashtu i është bërë thirrje qeverisë së Washingtonit që të anulojë këtë vendim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ka përfunduar mbledhja e jashtëzakonshme e ministrave të jashtëm të Lidhjes Arabe e cila u zhvillua në Kajro me kërkesën e Palestinës dhe Jordanisë. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Lidhjes Arabe pas takimit publikoi një deklaratë të përbashkët prej 16 pikash.

Në deklaratë vihet në dukje se Lidhja Arabe do të vazhdojë takimet dhe se ajo do të mblidhet brenda një muaji për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar hapat që do të hidhen në të ardhmen në kuadër të zhvillimeve. Në këtë kuadër pritet që samiti i jashtëzakonshëm të mbahet në Jordani, që mban edhe kryesimin e radhës.

Gjithashtu në deklaratë bëhet vlerësimi se “Vendimi i njoftuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, është i pavlefshëm, është një shkelje e rrezikshme e ligjeve ndërkombëtare dhe të vendimeve të OKB-së si dhe ai nuk ka asnjë fuqi ligjore.”

Njohja e Kudsit si “kryeqytet të Izraelit” nga Trumpi ka minuar përpjekjet për paqe, ka nxitur tension dhe zemërim si dhe ka shtyrë rajonin në dhunë, kaos dhe paqëndrueshmëri, thuhet në deklaratën.

Gjithashtu kjo kthesë në politikën e SHBA-ve për Kudsin është cilësuar si “një zhvillim i rrezikshëm ku është shkelur e drejta ndërkombëtare dhe ku qeveria e Washingtonit ka vendosur veten e saj në një pozicion mbështetës të Izraelit, ka larguar veten e saj nga roli i ndërmjetësimit në procesin e paqes”.

Teksa u bëhet thirrje të gjitha vendeve që të njohin shtetin e Palestinës me kufijtë e 4 qershorit 1967 ku kryeqytet është Kudsi Lindor, thuhet se “SHBA duhet të anulojë vendimin e saj në lidhje me Kudsin dhe duke punuar bashkë me komunitetin ndërkombëtar nëpërmjet një zgjidhjeje paqësore që garanton formimin e shtetit të Palestinës me kryeqytet Kudsin Lindor, duhet të detyrojë Izraelin që t’i japë fund pushtimit të tij në të gjithë territoret palestineze dhe arabe. Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara duhet të nxjerrë një vendim i cili deklaron se vendimi i SHBA-ve për Kudsin është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe është i paligjshëm”.

Gjithashtu në deklaratë njoftohet se në këtë takim janë marrë edhe vendimet:

Komiteti Arab i Iniciativës së Paqes, ka caktuar ngritjen e një komiteti që të punojë me bashkësinë dhe organizatat ndërkombëtare për të kapërcyer pasojat politike të vendimit për Kudsin.

Të kërkohet që Izraeli të zbatojë vendimet ndërkombëtare, të ushtrohet presion mbi të që t’i japë fund aktiviteteve për vendbanimit hebreje dhe largimin e palestinezëve nga Kudsi si dhe të punohet në mënyrë efektive dhe sistematike në këtë kuadër me komunitetin ndërkombëtar.

Sekretariati i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe është ngarkuar për fillimin e një fushate mediatike ndërkombëtare që të shpjegojë rreziqet e vendimit të SHBA-ve për Kudsin dhe shkeljet e Izraelit në Kuds”.

loading…


loading…


loading…