Vjollca Shala për grevën në arsim: Vozitësit e qeveritarëve kanë koeficient më ta lartë se mësimdhënësit

      Comments Off on Vjollca Shala për grevën në arsim: Vozitësit e qeveritarëve kanë koeficient më ta lartë se mësimdhënësit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka marrë vendim që nga 14 janari të hyjë me grevë të përgjithshme në arsim.

Greva do të jetë me afat të pacaktuar, ndërkaq SBAShK-u po kërkon ngritjen e pagave për mësimdhënësit deri në 30 për qind.

Vjollca Shala, nënkryetarja e SBASHK-ut, ka thënë se do të jenë kategorik për këtë protestë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Ne kërkojmë ngritje të koeficienti nga çerdhet deri te universitetet. Koeficienti prej 2.0 është degradues për gjithë sistemin arsimor”, tha ajo në Info Magazine.

“Nga 11 koeficientë që janë në projektligjin e pagave, sistemi arsimor është i vendosur në koeficientin thuajse më të ulët. Nga koeficienti aktual ne kërkojmë ngritje minimalisht deri në 30%”.

“Kjo kërkesë është vetëm derisa të nis greva, nëse ajo nis të hënën, kërkesat tona mund edhe të ndryshojnë”.

“Vozitësit e qeveritarëve kanë koeficient më ta lartë se mësimdhënësit e shkollave fillores dhe atyre të mesme”.

Greva pritet të fillojë të hënën dhe do të mbahet çdo ditë nga ora 09:00 në 12:00.