Votohen ndryshimet kushtetuese, Maqedonia tashmë është e Veriut

      Comments Off on Votohen ndryshimet kushtetuese, Maqedonia tashmë është e Veriut

Me shumicë votash, konkretisht 81 vota, Parlamenti i Maqedonisë votoi ndryshimet kushtetuese, ndërsa me këtë – përfundoi procesi i Marrëveshjes së Prespës. Tashmë emri zyrtar i shtetit është Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa janë pranuar edhe disa nga kërkesat e opozitës shqiptare.

Paraprakisht, shumica e deputetëve votuan kundër amendamentit të Elizabeta Kançeska Milevska, e cila kishte kërkuar që, termi “Republika e Maqedonisë Veriore” të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm-ndërkombëtar, ndërkohë që në përdorim të brendshëm, në të gjitha dokumentet, të përmendet “Republika e Maqedonisë”.

Votimi i sotëm u bë i mundshëm pas arritjes së marrëveshjes midis Bilall Kasamit të BESËS dhe kryeministrit Zoran Zaev, pasi shumicës parlamentare i mungon dy votat e dy deputetëve të BESËS. Për ndryshimin e emrit kanë votuar edhe tetë deputetët e përjashtuar nga VMRO, si dhe deputeti i partisë GROM, Panço Minov.

Dy deputetët e BESËS dhe dy të Aleancës për Shqiptarët i tërhoqën nga dy amendamente, ndërsa dy të tjerë u mbështetën nga Parlamenti i Maqedonisë.